“Vlera e një njeriu, është në tre gjëra: Ta fshehësh varfërinë, aq sa …”/ Thënie Legjendare nga Imam Shafi’u

Imam Shafi’u ka qënë një dijetar islam dhe një nga personat e parë që hodhën themelet e jurisprudencës.

“Vlera e një njeriu, është në tre gjëra: Ta fshehësh varfërinë, aq sa me ndershmërinë tënde njerëzit të mendojnë se je i pasur. Ta fshehësh inatin, aq sa njerëzit të mendojnë se je i kënaqur. T’i fshehësh vështirësitë, aq sa njerëzit të mendojnë se je në mirëqënie.”

“Fjalët e njerëzve janë si gurët, nëse i mbart mbi shpinë ta thyejnë kurrizin, e nëse i vendos poshtë këmbëve, ngrihesh e triumfon.”

“O njeri, kur erdhe në këtë jetë ishe duke qarë, e njerëzit përreth teje qeshnin nga gëzimi. Bëj punë të mira sa të jesh gjallë, bëjë punë të mira që ditën kur të të përcjellin duke qarë, ti të jesh duke qeshur.”

“Merru me atë që të sjell dobi, dhe lëri fjalët e njerëzve, se nuk mund të shpëtosh nga gjuhët e masës së njerëzve.”

“Baza e diturisë është verifikimi dhe sigurimi, ndërsa fryti i kësaj është të qënit i shpëtuar nga gabimet. Baza e devotshmërisë është të jesh i kënaqur me atë që ke, ndërsa fryti i kësaj është rehatimi dhe qetësia. Baza e dhurimit është vendosmëria, ndërsa fryti i saj është triumfi. Baza e çdo pune është dhënia e mundësisë dhe aftësisë, ndërsa fryti i saj është suksesi. Kulmi i çdo çështjeje është çiltërsia.”

“Mbikëqyri mendimet e tua, sepse ato do të kalojnë në vepra. Mbikëqyri veprimet e tua, sepse ato do të kalojnë në vese. Mbikëqyri veset e tua, sepse ato do të kalojnë në tabiat. Mbikëqyri tabiatet e tua, sepse ato do ta përcaktojnë rrugëtimin tënd.”

NJË RRËFIM DHE MËSIM që i atribuohet Imam Shafiut, por edhe nëse nuk është rrëfyer nga Imam Shafiu, gjithsesi mbart një mesazh shumë të fuqishëm për këdo:

Tre shokë ecnin rrugës natën dhe panë një njeri që groponte në skaj të rrugës.

I pari i tha të tjerëve: Shikoni.. ky njeri hap gropë në skaj të rrugës, patjetër ta kishte vrarë dikë dhe dëshiron që tash natën ta varros! Do ta gjuaj me gurë e ta mbyti në vend!

I dyti tha: Jo, jo, ky nuk është vrasës… po është njeri që nuk ju beson të tjerëve dhe e fsheh këtu pasurinë e vet.

I treti i shikoi ata dy dhe tha: As kjo e as ajo… po ai është duke hapur pus që njerëzit të pinë ujë prej aty, ky është njeri i mirë!

Morali: Çdo njeri e supozon për tjetrin atë që e ka vetë… i miri i sheh të tjerët si të mirë, kurse i keqi i sheh të tjerët si është vetë.

close