“Po lëvizte shumë” reagimi absurd i mjekëve që gabuan gjatë lindjes po bën namin në rrjete sociale

Darya Kadochnikova kishte ëndërruar prej kohësh momentin kur do të shtrëngonte në krahë të voglën e saj, do t’i merrte erë dhe do t’i përkëdhelte sytë apo hundën e vogël, por kurrsesi s’e kishte imagjinuar që në fytyrën e saj të shihte një çarje të thellë, shkaktuar as më pak e as më shumë se nga papërgjegjshmëria e mjekëve që e ndoqën gjatë lindjes.

Nuk është hera e parë dhe me siguri as e fundit që në sallën e lindjes ka të papritura, por ky rast që vjen nga Rusia ka shkaktuar një valë indinjate jo vetëm nga mijëra gra, por edhe vetë bluzat e bardha, si dhe po shkakton reagime të pafundme në rrjete sociale.

Supozohej që mamaja e re të bënte lindje natyrale në një spital publik, por në momentin e fundit mjekët i këshilluan ndërhyrjen me prerje cezariane pasi fëmija kishte ndryshuar pozicion dhe nuk ishte gati të dilte.

Aplikimi i epidurialit nuk pati asnjë efekt tek 19-vjeçarja, madje as anestezia intravenoze që mjekët tentuan pas disa përpjekjesh për ta qetësuar, kështu që ajo ndjeu gjatë gjithë kohës prerjen që bënin mjekët. Megjithatë asnjë dhimbje nuk krahasohej me çastin kur i sollën vajzën e vogël, me një shenjë prerjeje të dukshme afër hundës, nën syrin e djathtë.

“Nuk mund t’u besoja syve kur e pashë. Supozohej të ishte momenti më i lumtur i jetës sime, por u kthye në skëterrë. Kisha frikë ta prekja apo ta përkëdhelja, shenja e zezë dukej qartë që ishte e thellë. Mjekët u justifikuan duke thënë se ajo lëvizte shumë dhe se nuk ishte faji i tyre.”-ka rrëfyer ajo për një të përditshme ruse.

Ngjarja e Darya-s është shpërndarë masivisht në rrjete sociale, duke shkaktuar një valë indinjate tek mijëra gra që kanë ndarë po ashtu eksperiencat e tyre negative në sallën e lindjes.

close