DOKUMENTI SEKRET I CIA: Ja cilat ishin të dashurat sekrete të Enver Hoxhës

Më 2 nëntor 1962, diku në një kamp refugjatësh në Greqi, CIA, shërbimi sekret më i fuqishëm i Botës, ka kërkuar dhe administruar një informacion të gjatë dhe të pazakontë për Enver Hoxhën.

Përballë kishte një shoqërues të diktatorit shqiptar, Aleko Bimlin (emri fshirë në dokument, por harruar në një rast të vetëm) një shqiptar nga Korça që kishte pasur fatin, për një kohë, të kishte qenë shoqërues i Enver Hoxhës.

Aleko Bimli e kishte njohur Enver Hoxhën qyshkur ishte mësimdhënës së Liceun e Korçës.

Më pas, në vitin 1946, i gjendur me punë në Legatën Shqiptare në Beograd, Bimli e kishte shoqëruar Enver Hoxhën për një javë të plotë gjatë gjithë vizitës së tij nëpër Jugosllavi.

Pak kohë më pas, në rrethana që nuk dihen, Aleko është arratisur për në Greqi, ku edhe është peshkuar nga CIA.

Informacioni i dhënë nga Bimli rrëfen se ai ka qenë një tip inteligjent. Informacionet që ai ka dhënë për Enver Hoxhën, jo vetëm janë të shkruara shkoqur, por edhe të besueshme.

Po kështu edhe analiza logjike e fakteve duket e saktë dhe serioze.

Informacioni vërteton interesin e CIA-s për të gjetur dhe grumbulluar të dhëna komprometuese për Enver Hoxhën, sidomos informacione për jetën seksuale, për të dashurat dhe partnerët eventualë.

Informacioni i dhënë nga Bimli nis me të dhëna për jetën seksuale të Enver Hoxhës kur ishte profesor në Liceun e Korçës. Po kështu, në dokument shkruhet se Hoxha nuk u është ndarë fustaneve të femrave edhe gjatë Luftës.

Në informacion ka edhe të dhëna të tjerë shumë të sakta, sidomos për pushtetin e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe të tjerëve.

Investimet e shërbimeve sekrete për të shtënë në duar detaje për pika të dobëta të liderëve të ndryshëm, sidomos të kundërshtarëve, janë të njohura.

Kjo sepse, publikimi i të dhënave që vërtetojnë imoralitet ekstrem apo të tjera të ngjashme, mund të ketë rezultat më të mirë se lufta me armë për të goditur një kundërshtar.

Dokumenti përbëhet nga 10 faqe. Katër faqet e para janë në gjuhën shqipe, ndërsa pesë faqet në vazhdim përbëjnë përkthimin në gjuhën angleze.

Faqja e fundit ka disa shënime e sugjerime të agjentit të CIA-s që ka administruar këto të dhëna.

Dokumenti

INFORMACION

SEKRET

28 dhjetor 1962

Komenti i (…) për disa anëtarë të KQ të Partisë Shqiptare të Punëtorëve

1-Bashkëngjitur janë komentet e (…) për disa personalitete të KQ të Partisë së Punëtorëve të Shqipërisë. Bëhet fjalë për zyrtarët: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Spiro Koleka, Hysni Kapo, Beqir Balluku dhe Gogo Nushi.

2-(…) do të vazhdojë të përgatisë analiza të tilla dhe ato do t’i dërgohen zyrës qendrore sapo informacioni të jetë gati.

Komiteti Qendror

BYROJA POLITIKE ENVER HOXHA

E kam njohur për herë të parë në Liceun Francez të Korçës. Atëherë, Sekretari i Parë i sotëm i Partisë së Punës ishte profesor i lëndës “Moral” në klasat e ulëta të Liceut.

Unë ndodhesha nxënës në klasën e 3-të (Sixieme – gjashtë, red.) Detyrën e profesorit, Enveri e ushtroi për një vit të vetëm, mbasi u dëbua nga liceu për idetë e tij majtiste.

Jemi ritakuar disa vjet më vonë, kur unë sapo kisha mbaruar liceun dhe, sipas urdhrit të Partisë, kisha dalë në mal. Gjatë tërë periudhës së okupacionit e të luftës jemi takuar shumë pak herë.

Sidoqoftë, njiheshim dhe bisedonim me njëri-tjetrin si thjesht të njohur, pa ndonjë intimitet. Në fakt, sa kohë që Partia nuk kishte marrë pushtetin në dorë, udhëheqësit e saj (dhe në këtë numër edhe Hoxha) mbanin një qëndrim të thjeshtë e miqësor me anëtarët e Partisë.

Një herë madje, së bashku me dy roje personale të tij, i kam shërbyer si udhëheqës për ta futur në qytetin e Korçës e fshehur në një bazë (shtëpi) ilegale. Herën e fundit jemi takuar në verën e 1946-s në Beograd.

Atëherë Enver Hoxha kish ardhur si kryetar i delegacionit shqiptar që negocioi dhe nënshkroi traktatin e miqësisë të bashkëpunimit e të ndihmës reciproke midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Atëherë unë isha atashe i shtypit pranë Legatës Shqiptare në Beograd. Unë e shoqërova Hoxhën në një tur njëjavor në gjithë Jugosllavinë (Serbi, Bosnjë, Kroaci dhe Slloveni).

Ishte e fundit herë që pata rastin ta shoh së afërmi e të bisedoj me të. Qysh atëherë e kam parë vetëm prej së largu. Opinionet që pasojnë mbi personin e tij, pra, janë pjesërisht personale dhe pjesërisht të deduktuara nga sa kam dëgjuar prej miqve e shokëve të dikurshëm në Shqipëri.

Ka qëndruar kurdoherë përmbi udhëheqësit e tjerë dhe kjo, që nga themelimi i Partisë. Është i vetmi që ka mbetur nga i pari KQ (zgjedhur nga Miladin Popoviçi) që në nëntorin e 1941-shit. Qysh atëherë kish postin e parë: atë të sekretarit politik. E mbajti deri më sot duke kapërcyer të gjitha krizat.

Vetëm për një moment, por shumë të shkurtër, iu avit Koçi i Xoxes, ish-sekretar organizativ i Partisë gjer më 1949. Zakonisht, e sidomos këtu në Greqi, mendohet se frenat e situatës në Shqipëri i ka më tepër Mehmet Shehu.

Nuk jam i këtij mendimi. Mendoj se frenat edhe në momentet më kritike për të (1948) i ka pasur Enveri. Opinioni im është ky: Mehmeti është bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, dora e djathtë e tij. Diktatori i vërtetë ka qenë dhe mbetet Enveri. Në rast se Shehu është pesë kokë përmbi udhëheqësit e tjerë, nuk pushon, prapë se prapë, është një kokë më poshtë sesa Enveri.

Enveri ka qëndruar kurdoherë 6 kokë përmbi të tjerët. Mehmeti, nga i barabartë midis të barabartëve (1949), bëri një karrierë vertikale dhe sot ndodhet (1962) pesë kokë më lart. Tek-tuk, në shtypin e lirë figuron gjykimi se Enveri nuk është njeri me puls, se ka një karakter më tepër të butë e që pëson ndikimin e ndonjë tjetri. Nuk pajtohem as me këtë opinion.

Edhe puls ka, edhe karakter ka. Pa asnjë dyshim Mehmeti është më i egër; temperamenti i tij, më i spikatur. Merita të domosdoshme këto për një udhëheqës në një regjim totalitar. Mirëpo, këtu nuk duhet harruar fakti se krahas këtyre meritave, Mehmeti ka edhe të meta të mëdha; është kapriçioz, i rrëmbyer dhe ka kurdoherë nevojë për ndokënd që ta përmbajë.

Aq më tepër sepse dëshirat e tij i merr për realitete, sepse udhëhiqet shumë nga pasionet personale, sepse rrëmbehet nga sukseset e çastit. Ndryshe nga Mehmeti, Enveri është më tepër politik, më tepër diplomat, më realist.

E tërë jeta e tij tregon se Sekretari i Parë i sotëm i KQ është udhëhequr nga parimi “mat shtatë herë e prit një herë”. Ndryshe nga Mehmeti që është sanguin, Enveri di të shtrijë këmbët sa është krevati.

Nuk i mungon pastaj as guximi, as pulsi. Enveri nuk ka guximin e një ushtaraku kapadai (siç është Mehmeti), por atë të një diplomati të talentuar që di të bëjë lëshime e koncesione (ndryshe nga Mehmeti që është intrazigjent ekstremist), atëherë kur këto janë të domosdoshme, të paevitueshme.

Enver Hoxha ka sens kritik dhe buonsens. Di të demonstrojë në të njëjtën kohë që ka buonsens edhe kur është i mërzitur tej mase nga dikush.

Nga të gjithë udhëheqësit e Partisë, Enveri gëzon simpatinë më të madhe të masës së Partisë. Në këtë, natyrisht, përveç meritave të tij relative, ka influencuar edhe i ashtuquajturi kult i personalitetit, kultivuar për vite rreth personit të tij. Pak më përpara bëra fjalë për diplomacinë e Enverit.

Thashë se është një diplomat i talentuar që di të gjykojë drejt situatën e të përfitojë nga premisat që jep. Kjo është njëra anë e kësaj monedhe. Ana tjetër është se si diplomat i mirë, nuk avancohet kurrë shumë përpara. Kur është fjala për vendime, masa dhe orientime antipopullore të hapta, atëherë di të vihet në plan të dytë; ngarkon për shpalljen dhe zbatimin e tyre ndonjë tjetër (fjala vjen, Mehmetin).

Kurrë, në tërë karrierën e tij, nuk mori përgjegjësi, si rregull, mbi tokë të shëndoshë. U është shmangur, me shumë mjeshtri hapave të pasigurt. Në këto raste ai kurdoherë ka ditur të vërë përpara të tjerët dhe të dalë më vonë si shpëtimtar i situatës.

Koçi i Xoxes dhe fati i tij është shembulli më karakteristik. Të tjerë shembuj: Më 1952 KQ mori në diskutim të veçantë “problemin bujqësor”. Studimin e raportit të masave Enveri ia la Mehmetit. Rezultati: Plenumi, sipas direktivave që përmbante raporti i Mehmetit, vendosi të hedhë parullën e “kolektivizimit integral”.

Dhjetë ditë më vonë (sigurisht sepse të tilla kishin qenë udhëzimet e Moskës) plenumi i KQ, kësaj here sipas një raporti të dytë, të mbajtur nga Hoxha, dënon parullën e kolektivizimit integral.

Thuajse në të njëjtën periudhë Partia merr në diskutim çështjen e ashpërsimit të luftës së klasave. Të gjithë përgjegjësinë e kësaj lufte antipopullore (pushkatime pa gjyqe, arrestime masive, pushime nëpunësish “të dyshimtë” në administratë etj) Enveri ia lë përsëri Mehmetit.

Hoxha qëndron në hije, qëllimisht… Por disa muaj më vonë, kur mbahet Kongresi i ardhshëm i Partisë dhe kur konstatohet se ashpërsimi i luftës së klasave kish shkuar shumë larg (përgjegjës Mehmet Shehu), Enveri nuk mungon të dalë përsëri si shpëtimtar i situatës.

Kur me cilësinë e tij si udhëheqës nr. 1 propozon përbërjen e Byrosë Politike të atëhershme, Hoxha e cilëson Mehmetin një nga “udhëheqësit më të shquar të Partisë”, por… “që ka nevojë të frenohet disi sepse është shumë i rrëmbyer”.

Kur sjell ndër mend personalitetin e profesorit të Liceut që njoha në Korçë, nuk mund të mos habitem me faktin që sot ky mësues insinjifikant (i parëndësishëm, red.) drejton fatet e Shqipërisë. Asgjë të veçantë nuk kish.

Mirëpo, për hir të së vërtetës, duhet të pranoj se personi insinjifikant që ish profesor në 1937-38 në Korçë, m’u duk fare i ndryshëm kur u takova në mal si partizan. Ai ka personalitet. Ai e ka vendosur veten mbi masat, ai është një demagog i lindur. Ai është një orator i mirë.

Ai e di më mirë se çdokush tjetër se si ta frymëzojë anëtarin e thjeshtë të Partisë…

…Enveri ka bërë për shumë vite me radhë shkollën e pushtetit. Dhe e vërteta është se ka ditur të përfitojë nga eksperienca e tij, nga përgjegjësitë personale, nga ushtrimi i fuqisë që iu dha.

Përgjegjësitë të zmadhojnë në sytë e të tjerëve (natyrisht me konditën që të dish t’i përballosh me sukses deri në njëfarë pike). Kjo ka ndodhur me Enverin. Si çdo njeri, ka të metat e tij. Natyrisht këto fshihen në Shqipëri.

Personalisht mendoj se midis të metave të tij duhet të përmenden: a)Megalomania e tij. Kulti i personalitetit që i është bërë për vite të tëra ia ka fryrë mendtë. Enveri i 1945-s e pa dyshim edhe i sotëm nuk është Enveri i kohës së okupacionit. Atëherë në takimet me njerëzit ishte më i dashur, më njerëzor.

Tani, kur del për fjalime, është më tepër robot sesa njeri, më tepër teatral sesa natyral. Ka vetopinionin se është i vetmi, i pa zëvendësuar. b)Këtu në Greqi kam dëgjuar së është edhe pederast. Sa kohë isha në Shqipëri, nuk më kishte zënë veshi diçka të tillë.

Përcaktojnë madje se H. Samarxhiu, një tregtar lëkurësh i emigruar që nga 1943 në Greqi, në gjendje të mirë ekonomike tani në Selanik, – e ka pasur dylber të tij. Natyrisht, personalisht, as mund ta përgënjeshtroj, as mund ta vërtetoj këtë akuzë. c)Dobësi të theksuar ndaj grave.

Sa kohë ishte profesor në Korçë, kish famën e një don zhuani. Në këtë e ndihmonte edhe paraqitja e tij. Bile një nga “amanetet” (të dashurat, red.) e tij – vajzë nga më të bukurat atëherë në Korçë, ndodhet tani e martuar në Selanik. Tanca Mishu (me emrin e çupërisë Tanca Manu). Si ndjekës fustanesh njihej edhe gjatë kohës së okupacionit. Që nga 1945- ta e këtej, nuk kam dëgjuar gjë mbi aventurat erotike të tij. d) Mungesën e çdo sentimenti.

Ka djegur kurdoherë bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Jashtë karrierës, jashtë jetës politike të tij, nuk ka llogaritur gjë. As miqësitë e vjetra, as lidhjet familjare s’i ka pasur ndonjëherë parasysh (dërgoi në vdekje burrin e së motrës, Omarin, një nga krerët e Ballit Kombëtar, në shtëpinë e të cilit edhe kish qëndruar për t’u fshehur gjatë operacionit si ilegal; Koçin e Xoxes, dhe të gjithë miqtë e tij të dikurshëm.

“Nevojat shtetërore” dhe “ambiciet personale” kanë qenë kurdoherë përmbi sentimentet. Ka treguar një egërsi, e cila në të shumtën e rasteve ish jo e domosdoshme. Ka preferuar kurdoherë zgjidhjet ekstremiste, radikale. Dhe të gjitha këto ka ditur t’i paraqitë si Pont Pilati.

KOMENTI I PËRKTHIMIT

Koment: Duke folur për afërsitë politike të Enver Hoxhës, Aleko doli me një konkluzion qesharak. Ai pyet veten se si ai profesori i ri tashmë drejton fatet e vendit.

Në opinionin tim, janë dy njerëz të cilët unë i njoh personalisht, të cilët mund të na tregojnë detaje për imoralitetin dhe të tjera aspekte të jetës së Enver Hoxhës.

Ata janë:

Ramazan Qosja, lindur në Tiranë rreth 1920, i pamartuar, me një fëmijë, emigruar nga ky vend më 1956, që aktualisht jeton në qytetin e Nju Jorkut (unë nuk e di adresën).

Ramazan Qosja ishte një kambist, dhe ai e njeh Enver Hoxhën shumë mirë.

Loro Brahimi, afërsisht 60 vjeç. Më 1946 ose 1947 Loro Brahimi ishte një truprojë personal i Enver Hoxhës gjatë kohës kur ai vizitoi Parisin.

Më 1948, Loro Brahimi u kthye në Shqipëri dhe më 1949 u arratis nga Shqipëria për në Jugosllavi, më tej në Itali. Loro Brahimi aktualisht jeton bashkë me familjen në Paris. Ai njeh gjithçka për Enver Hoxhën.

Nga Ferdinand Dervishi./abcnews.al

close